Montag, 3. August 2015

Si po e lajnë veten sot antishqiptarët e komunizmit

 Nga Fadil Curri

  • Të bëhet të dyshosh në këtë demokraci, kur sheh se komunistët antishqiptarë të ish-Jugosllavisë krah për krahu me viktimat e tyre janë në vallen çlirimtare?!

      Disa njerëz, që në jetën e tyre kanë bërë mëkate ndaj të tjerëve, kombit e vendit, në pleqëri po duan ta lajnë veten, ta fshehin mëkatin së paku sa janë gjallë dhe t’ua mjegullojnë mendjen njerëzve. Ja si veprojnë ata:

   1. Disa hiqen pleq të urtë e sqimëtarë, rekomandojnë shpirtgjerësi e dashuri ndërmjet ndjerëzve, durim e falje të gabimeve tjetrit. Ashpërsinë e tyre jetësore duan ta shlyejnë me rreshtimin në safet e parë nëpër faltore, udhëzimet për besim në Zot, librin e shenjtë dhe shembujt jetësorë të profetëve. Këta, jo që tani janë ndërgjegjësuar, por mbase janë çliruar relativisht nga censorët e tyre ose udhëzohen nga ata të fshihen deri në një ditë më të favorshme. Së paku përpiqen ndaj fëmijëve, rejave, nipërve e mbesave të mbjellin këtë përshtypje, ndonëse virtytin e këtillë nuk e kanë pasur gjatë jetës së tyre.

   2. Disa po bëhen poetë shumë trumbetarë me temat e tyre patriotike, duke i mbushur vargjet poetike plot Iliri e Dardani, Kosovë e Shqiptari, bashkim kombëtar e çlirim përfundimtar, me heronj e sakrifica. Mirëpo harrojnë se përdhunshëm dhe panegjerisht në vargjet e tyre deartizohen, sepse duke dendësuar këto mëtime, dalin deklaratativë e demagogë më tepër se politikanët. Ia arrijnë qëllimit të vetëkëlavdisë ndaj atyre që nuk e njohin, atyre që u sullen me lëvdata fejsbukiane për ndjeshëmri atdhetare, ndaj atyre të shkallës analoge atdhetare e artistike. Ata që e njohin jetërisht mëkatarin e artizuar nuk harrojnë se gjatë komunizmit kanë vepruar substancialisht kundër aspiratave popullore. Shpesh dalin edhe ngadhnjimtarë, duke e defaktizuar sensualisht shkrimtarin dhe atdhetarin e mirëfilltë, por jo edhe të vërtetën absolute.

   3. Disa persekutorë mediatikë e juridikë të kohës së komunizmit antishqiptar me zhdërvjelltësi e dhelpëri u afrohen viktimave të tyre, hynë në radhët e atdhetarëve përmes tyre, sa një ditë edhe i rifajësojnë heshturazi se kanë vepruar patriotikisht jashtë kohës e vendit të duhur. Nën hijen e tyre freskohen e amnistohen nga mëkatet censorët e djeshëm. Që është jologjike dhe joparimore, disa viktima të tyre, mbase nga ndonjë levërdi praktike, u binden fakteve të censorëve, bile dhe i gradojnë me atdhetarë të heshtur persetutorët komunistë, sa edhe e vetrëkritikojnë veten dhe grupin që bënë përpjekje atdhetare antikoimuniste e kombëtare.

    4 Disa gazetarë të kohës së komunizmit, që në tekstet e emisionet e tyre villnin vrer e terr ndaj toponimeve shqipe në Maqedoni, ndaj “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar” pas vitit 1981, duan të lahen duke bërë sot emisione për ngjarje e figura me rëndësi kombëtare. Këta dhepërakë janë të vetëdijshëm se dikush i mban mend, por shumicës me këto “vepra patriotike” ua errësojnë sytë. Të bëjnë të vjellësh në disa shkrime e emisione të tyre të sotme, kur në kohën e komunizmit i shahin disa ngjarje, rrethana e figura kombëtare dhe ua bënin me gisht për dënime, sot u ngrenë himne. Duket se ende nuk dorëzohen, duan të përbirohen në ajkën atdhetare, t’i bëjnë copë e grimë dhe pastaj përsëri të rirreshtohen atje ku kanë qenë në kohën e komunizmit antishqiptar.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen