Freitag, 14. August 2015

Arif Molliqi - ZHVARRIMI


ZHVARRIMI

Ke vendosur të shëtitësh
Katundari im
bjeri trup e tërthor Ballkanit
rrugës ndalu të Guri i Hasit...
Varrin s´do t´ia gjesh Pjetër Bogdanit
as në Prishtinë
Turqit ia bënë zh v a rr i m i n.

Ke vendosur të shëtitësh,
katundari im
kthehu të Shpella e Rjollit
shikoje pushimoren e poetit
bukurinë e gravurës
të vënë në ballë të librit
ku gjendet E r i t r e a C o s s o v e n s i s

Ke vendosur të shëtitësh,
katundari im
bjeri trup e tërthor Ballkanit
rrugës ndalu të Guri i Hasit.....


P.S. Në vitin 1983( 2 korrik 1983), në konkursin letrar të “Zëri i rinisë”(nr.27) , kjo poezi më shifrën “Hasjani” u vlerësua ndër poezitë e mira. Kurse në vitin 1993, është botuar edhe në librin e autorit; “Simfoni për darken e qenve”.

Freitag, 7. August 2015

Haxhi Muhaxheri - FRAN UKCAMA


Haxhi Muhaxheri

FRAN UKCAMA

Me unurin e fjalës
Ndez zjarrin e mendjes
Ne kuvend me muzat
Në shtratin e hënës

Me dritën e fjalës
Ngarend shtigjeve të fisit
Qe ta mbajë të pastër
Ngjyrën e bardhë të plisit

Me gjuhë perëndie
I këndon atdheut
Me shpirt dashurie
Këngës i jep jetë


Është ky Fran Ukcama
Fisniku i Mal'sisë
Qe shpirt i jep artit
Nder i bën Shqipërisë

/ Poezia nuk është përfunduar...vazhdon të shkruhet /
25. 03. 2014

Mittwoch, 5. August 2015

Fehmi Ajvazi - Testamenti i heroit


TESTAMENTI I HEROIT

I.
Kur ish natë e terr i zi, t’i m’thoshe n’heshtje vjen liria
Unë t'pyesja a m’sheh t’i, unë s’i shihja vitet e mia

Hesht ditën unë të thoshja, s’e nuk dihet kur mbërrinë
Është nuse a zanë mali, fryma e saj plotë murmurimë

Po s’dëgjoje zërin tim, zërin tënd unë e dëgjoja
T’i udhëtoje nëpër natë, nëpër gjak e nëpër ploja

Ajo s’ish kumt as yll mëngjesi, nëpër borë e nëpër shi
Plagët t’ua nëpër shekuj, ishin yje n’sytë e m’i...

Kur u trand zemra e tokës, një Adam erdhi nga qielli
E theu terrin copa grima, ish Zeus – biri i Diellit

T’i më shihje nëpër shekuj, unë dëgjoja zërin tënd
Na kish ndarë nata e zezë, në një prag e në një vënd

Dhe një ditë i thash diellit, zbrit tek unë e mos u tremb
Tre mijë vjet ishim në terr, gjysma e natës kur u shemb

II.
Eh: s’është i lehtë dheu i varreve, as foleja bërë në gur
Pse shqiponja ka dy koka, veq n’i Zot e di këtë kumt...

Mos harro kohën e ikur, ngrite kokën mbi flamur
Të janë nxirë hënë e yje, shtrydhe ujin nëpër gur

T’i je k’tu fis i Adamit, mos mallko as mos gjyko
Rrënja jote është prej toke, yllin tënd gjithmonë beso...

(03.08.2015)

Dienstag, 4. August 2015

Mikel Gojani - Kronikë e një dite në Durrës


KRONIKË E NJË DITE NË DURRËS

(Ismail Kadaresë)

Ditë, vërtet jo e zakonshme
E papërshkrueshme,
Bashkë me Diellin e nxehtë
Që përcëllonte.

Në qytetin e bukur -
Si një buzëqeshje fëmijërore,
Eci rrugës plot labirinte,
Çdo gjë ndryshoi në jetë:
Natyrës i erdhi vetë shpirti,
Qielli i kaltër mori ngjyrën e Diellit
Në horizontin e tij
U mbështoll si në ëndërr.

- Je pronë e popullit tim - i thashë-
Dashurinë për Ty e mora mbi vete,
Sihariq më dhurove ndër Mote!

23 Korrik 1990

Montag, 3. August 2015

Si po e lajnë veten sot antishqiptarët e komunizmit

 Nga Fadil Curri

  • Të bëhet të dyshosh në këtë demokraci, kur sheh se komunistët antishqiptarë të ish-Jugosllavisë krah për krahu me viktimat e tyre janë në vallen çlirimtare?!

      Disa njerëz, që në jetën e tyre kanë bërë mëkate ndaj të tjerëve, kombit e vendit, në pleqëri po duan ta lajnë veten, ta fshehin mëkatin së paku sa janë gjallë dhe t’ua mjegullojnë mendjen njerëzve. Ja si veprojnë ata:

   1. Disa hiqen pleq të urtë e sqimëtarë, rekomandojnë shpirtgjerësi e dashuri ndërmjet ndjerëzve, durim e falje të gabimeve tjetrit. Ashpërsinë e tyre jetësore duan ta shlyejnë me rreshtimin në safet e parë nëpër faltore, udhëzimet për besim në Zot, librin e shenjtë dhe shembujt jetësorë të profetëve. Këta, jo që tani janë ndërgjegjësuar, por mbase janë çliruar relativisht nga censorët e tyre ose udhëzohen nga ata të fshihen deri në një ditë më të favorshme. Së paku përpiqen ndaj fëmijëve, rejave, nipërve e mbesave të mbjellin këtë përshtypje, ndonëse virtytin e këtillë nuk e kanë pasur gjatë jetës së tyre.

   2. Disa po bëhen poetë shumë trumbetarë me temat e tyre patriotike, duke i mbushur vargjet poetike plot Iliri e Dardani, Kosovë e Shqiptari, bashkim kombëtar e çlirim përfundimtar, me heronj e sakrifica. Mirëpo harrojnë se përdhunshëm dhe panegjerisht në vargjet e tyre deartizohen, sepse duke dendësuar këto mëtime, dalin deklaratativë e demagogë më tepër se politikanët. Ia arrijnë qëllimit të vetëkëlavdisë ndaj atyre që nuk e njohin, atyre që u sullen me lëvdata fejsbukiane për ndjeshëmri atdhetare, ndaj atyre të shkallës analoge atdhetare e artistike. Ata që e njohin jetërisht mëkatarin e artizuar nuk harrojnë se gjatë komunizmit kanë vepruar substancialisht kundër aspiratave popullore. Shpesh dalin edhe ngadhnjimtarë, duke e defaktizuar sensualisht shkrimtarin dhe atdhetarin e mirëfilltë, por jo edhe të vërtetën absolute.

   3. Disa persekutorë mediatikë e juridikë të kohës së komunizmit antishqiptar me zhdërvjelltësi e dhelpëri u afrohen viktimave të tyre, hynë në radhët e atdhetarëve përmes tyre, sa një ditë edhe i rifajësojnë heshturazi se kanë vepruar patriotikisht jashtë kohës e vendit të duhur. Nën hijen e tyre freskohen e amnistohen nga mëkatet censorët e djeshëm. Që është jologjike dhe joparimore, disa viktima të tyre, mbase nga ndonjë levërdi praktike, u binden fakteve të censorëve, bile dhe i gradojnë me atdhetarë të heshtur persetutorët komunistë, sa edhe e vetrëkritikojnë veten dhe grupin që bënë përpjekje atdhetare antikoimuniste e kombëtare.

    4 Disa gazetarë të kohës së komunizmit, që në tekstet e emisionet e tyre villnin vrer e terr ndaj toponimeve shqipe në Maqedoni, ndaj “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar” pas vitit 1981, duan të lahen duke bërë sot emisione për ngjarje e figura me rëndësi kombëtare. Këta dhepërakë janë të vetëdijshëm se dikush i mban mend, por shumicës me këto “vepra patriotike” ua errësojnë sytë. Të bëjnë të vjellësh në disa shkrime e emisione të tyre të sotme, kur në kohën e komunizmit i shahin disa ngjarje, rrethana e figura kombëtare dhe ua bënin me gisht për dënime, sot u ngrenë himne. Duket se ende nuk dorëzohen, duan të përbirohen në ajkën atdhetare, t’i bëjnë copë e grimë dhe pastaj përsëri të rirreshtohen atje ku kanë qenë në kohën e komunizmit antishqiptar.

Rrahim Sadiku - Shtigje lirie


SHTIGJE LIRIE

U nisëm malit
ia thamë të vërtetën:
Atdheun e duam
më shumë se jetën!
Secili që këtu
nuk vjen si mik,
e meriton plumbin,
e kemi armik!

Atdhe e kemi mendjen,
shpirt e kemi Atdhe
Atdhe hapet në horizonte,
dritë Atdheut i jemi ne.

Deri te liria
rrugë e gjatë mund të jetë,
e gjatë dhe e vështirë!
Ne nuk ndalemi,
me të ligën përballemi
ngulisimin shpresën e dëlirë..

Kur ngrohtësi lirie
ngoh fusha e male,
lugina e brigje...
Ne gjallë a vdekur do të jemi aty
lirisë të marshojmë nëpër këto shtigje...

Ramadan Asllani - Shqiptar, fol shqip!


SHQIPTAR, FOL SHQIP!

Heeej, shqiptar!
Gjysh pellazg, babë ilir, bir arbër!
Mbaj vetën historik, etnik!
Gjuhë zakon e traditë!
Që po humb çdo ditë…

Rri, si ke lindur nga i pari!
Të ka hije trashëgimtari…
Me plis, tirq e xhamadan,
Pa qenë arab, turk e evropian…
Se tonat janë më me nam!

Mos u lazdro me gjuhë të huaj!
Shqip dhe vetëm shqip është gjuha juaj!
Krenari hyjnore mijëvjeçare,
Që s’e ka pasur kush për hise!
Pos nënës shqiptare…

Ferizaj, më 3 gusht 2015

Naim Fetaj - Kuq e zi...


KUQ E ZI

Vetë e kemi skuqur
E vetë e kemi nxi

Njē histori...
E kuq e zi tash vjellim
Mbi njëmijë tragjedi...

Sonntag, 2. August 2015

Maxhun Osmanaj - Atë ditë…


Atë ditë…

Atë ditë s’dua të jesh e grimosur
S’dua ta ndjej erën parfumëri
Eja vec me shpirtin e armatosur
Me erën e jetës përkthelëse thjeshtësi.

Atë ditë, syze mos mbaj mbi kokë
në vend të jasktekut t’shtëpisë
dua të fle mbi ato flokë
herë t’i ledhatoj herë të ti shprish.

Atë ditë, buzëkuq mos vë
N’relievin e fytyrës mos bëj gjë me zor
Sepse n’puthje ndonjë ‘njollë’ ma lë
Bota mund t’më bëjë hor.

Atë ditë, betejën do ta fitojmë
Skaj një pylli kur gurgullon lumi
Cicërimat e zogjve kur t’i dëgjojmë
N’plantacionin tënd do t’më zë gjumi

At ditë ,eja ta sfidojmë një ditë
Se jeta na tradhtoi nga pakënaqësitë
Bisteku dhe thinjat një lojë ta zhvillojnë
Ndaj zymtësisë së kohës, të dytë do t’fitojmë

Agim Gashi - Jeta mban emrin tënd


JETA MBAN EMRIN TËND
(Njeriut që ka dhuruar mëlçinë e Tij)

Akoma jetoj me frikën,
Dhe bisedoj me ty
Vëlla a motër ishe nuk e di.

Ne mua jeton edhe ti.
Bashkë me ëndrrat dhe shpresën
Për të ardhmën

Ti
Jetën deshe
Më shumë nga të gjithë
E dashurisë i dhe shpirt

Jeton në frymen time
Në këngët që po lindin

Jeton në Formulën e Dhembjës
Në Planetin e Dashurisë

Jeta mban emrin tënd
Dhe lutjen për të nesërmen

30.06.2013
Düren

Haxhi Muhaxheri - E magjishmja poezi


E MAGJISHMJA POEZI

Dritën ia vodha diellit
Hënës bukurinë

Fillikat i vetëm
Vrapova planeteve
E luftë ju shpalla perëndive

Për vrimë të gjilpërës
E kalova detin

Linda e vdiqa
Disa herë për Ty

Po prapë e virgjër mbete
E loze me mua
Si me një fëmijë

Ti e dashura ime
E magjishmja poezi

21. 03. 2015  - 18:30 h